Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë viziton Junikun, diskutohet shtrati i Erenikut e menaxhimi i mbeturinave

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka vizituar sot komunën e Junikut.
Ai u prit në takim nga i pari i kësaj komune, Ruzhdi Shehu.
Së bashku, ata diskutuan mbi shtratin e lumit Erenik, ujërat e zeza, deponitë dhe grumbullimin e mbeturinave.
U përfol për përkrahjen e BE-së ndaj Junikut, pikërisht në këto fusha.
Ky është njoftimi i plotë i kryetarit Shehu:
Të dashur junikas,
Sot kam pritur në takim kurtoazie Shefin e Zyrës së BE në Kosovë z. Tomas Szunyog.
Në takim janë diskutuar prioritetet kryesore të qeverisjes komunale që konsistojnë në shqetësimet dhe kërkesat emergjente të qytetarëve junikas, siç janë shtrati i lumit Erenik, ujërat e zeza, deponia dhe grumbullimi i mbeturinave.
Z. Szunyog theksoi që edhe për BE është në fokus pikërisht mbrojtja e ambientit. Rrjedhimisht ai konfirmoi gatishmërinë nga BE për të përkrahur Komunën e Junikut lidhur me këto tema të interesit të përbashkët.
Në vazhdën e takimit kemi pasur kënaqësinë që të marrim pjesë edhe në aktivitetet e fushatës kulturore të fëmijëve me temë “Mbështetja e BE për Kosovën”. Me këtë rast fëmijët në Komunën e Junikut kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme të pikturimit në shtratin e lumit Erenik si dhe kanë performuar me vallëzime dhe këndime të ndryshme për fëmijë.