75 Mall Live Search
10:01 / E Premte, 02 Shtator 2022 / B O

“I dhurova Vuçiqit verën 100% shqiptare”, flet biznesmeni

Sipërmarrësi Ervis Mançe i dhuroi një arkë me verë shqiptare presidentit serb Aleksandër Vuçiç në panairin e parë ndërkombëtar të verërave “Wine vision of the Open Balkan”.

Në një intervistë për Euronews Albania ai tha se Vuçiç ndaloi në stendën e tij dhe çfarë e emocionoi përtej faktit që është njohës i mirë i verës, ishte dhe fryma e kompanisë së re prej 4 vitesh.

Sipas tij marrja e verës nga Vuçiç ishte dhe për të dhënë një mesazh për të gjithë sipërmarrësit e rinj, në formë mbështetje.

Verë e bardhë e zonës së Përmetit, kjo është çfarë mori Vuçiç, siç tregoi Mançe.

“Është një verë 100% shqiptare, autoktone, një verë e cila përveç lëngut, pra verës, ka dhe një etiketë tërheqëse dhe moderne në sytë e çfarëdolloj konsumatori,” – u shpreh sipërmarrësi.

Ndalim i presidentit serb në stendën e tij dha një impakt pozitiv edhe te kolegët të cilët komplimentuan kompaninë.

“Ishte një spërkatje me pozitivitet ndaj gjithë prodhuesve shqiptarë, të cilët realisht patën një moment grupimi, kënaqësie, një vlerësim i cili u nda dhe me ta,” – u shpreh sipërmarrësi.