75 Mall Live Search
17:03 / E Diele, 04 Shtator 2022 / C E

​Scholz akuzon Putin për mos respektim të marrëveshjes për energjinë

Vladimir Putin është fajtori për vështirësitë ekonomike me të cilat përballet Gjermania, tha sot kancelari gjerman Olaf Scholz kur njoftoi një paketë masash për të zbutur rritjen e kostove të jetesës.

“Rusia e Putin-it ka thyer traktatet. Ajo nuk i ka përmbushur detyrimet e saj të furnizimit për disa kohë”, tha Scholz dhe vlerësoi se Rusia nuk është më një furnizues i besueshëm i energjisë.

Fluksi i gazit të furnizuar nga kompania ruse energjetike Gazprom ka ardhur në rënie muajt e fundit dhe të premten njoftoi se do të ndërpritet për një kohë të pacaktuar për shkak të rrjedhjes së naftës në stacionin e kompresorit.

“Vrasjet dhe shkatërrimi në Ukrainë janë pasojat më të këqija të luftës së Putin-it”, tha Scholz, duke shprehur ndjeshmëri për gjermanët që kanë frikë nga rritja e çmimeve.

“Shkaku i kësaj situate shumë të vështirë është pushtimi rus i Ukrainës”, tha kancelari gjerman, por përfundoi me një mesazh optimist: “Do ta kalojmë dimrin”.

Qeveria gjermane njoftoi sot se do të ofrojë një paketë ndihme me vlerë më shumë se 65 miliardë euro për qytetarët e saj për t’i ndihmuar ata të përballen me rritjen e kostove të energjisë dhe inflacionit në përgjithësi.