75 Mall Live Search
11:26 / E Enjte, 08 Shtator 2022 / LB

Deputeti Gola që sulmoi grevën merr veç në shtesa dyfish më shumë se mësuesit e fillores në paga krejt vitin

Deputeti dhe profesori Ardian Gola i ka dalë kundër grevës duke pretenduar se ky qëndrim shkon përtej përkatësisë së tij partiake në Vetëvendosje. Por, cilat janë të ardhurat e tij të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsionit?

Të ardhurat mund të kenë një rëndësi po aq të madhe në formësimin e bindjeve politike e sociale të një individi. Natyrisht, individ është edhe Ardian Gola që kritikoi grevistët.

Një gjë e tillë po heshtet vazhdimisht, por megjithatë përplasja për grevat ka të bëjë me pagat dhe me shtesat e pagave.

Rrahman Jasharaj po kërkon nga 100 euro shtesë për mësimdhënësit deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Ky Ligj ishte premtuar se do të sillej në Kuvend nga ana e Xhelal Sveçlës, ministër, qysh në muajin mars të këtij viti por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Sidoqoftë, cila është pasuria Golës, që raporton t’i ketë dy llogari në Facebook?

Ai ka deklaruar paga vjetore nga Kuvendi i Kosovës dhe nga Universiteti i Prishtinës (si bashkëpunëtor i jashtëm) në vlerë prej 17 mijë e 474 eurove. 13 mijë e 927 i ka marrë si pagë vetëm nga Kuvendi i Kosovës.

Por, shtesat që ka marrë e arrijnë gati vlerën e pagës. Ai ka marrë shtesa nga Kuvendi (7760 euro) dhe nga UP-ja (1146 euro) në vlerë prej 9218 eurove (plus një mëditje 312 euro).

Kujtojmë se paga për një mësimdhënës të fillores është 420 euro e 21 centë. Kjo nënkupton se për 12 muaj, mësuesit tanë marrin 5 mijë e 42 euro, ose gati vetëm gjysma e vetëm shtesës që merr Gola. /Nacionale.com