Kurti u kërkon ministrave t’i sjellin pesë të arriturat e tyre

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në një konferencë për media ka njoftuar, se pas mbledhjes së qeverisë, ka kërkuar nga ministrat gjatë javës së ardhshme t’i sjellin atij pesë të arriturat kryesore.
Kurti, ka thënë se nga secili ministër ka kërkuar që të dijë se çfarë kanë punuar për një vit e gjysmë qeverisje.
“Për javën e ardhshme secili prej ministrave t’i sjell katër-pesë të arriturat kryesore për një vit e gjysmë. Sepse me 22 shtator, nesër një javë, në ora 08 të darkës bëhen një vit e gjysmë që qeveria jonë është zgjedhur. Edhe do të më sjellin këto të arritura, por në të njëjtën kohë kam thënë që t’i përmendin edhe katër-pesë të arriturat kryesore që janë të këqijat që i kemi ndalur. Sepse disa të mira vijnë pse janë ndalur disa të këqija, por duhet të ketë edhe të mira të cilat s’janë fare në raport me të keqen. E i kam kërkuar të dyja këto”, ka shtuar ai.
Sot ekzekutivi i Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 96-të ku ka miratuar disa projektligje për Prokurorin e Shtetit dhe për Prokurorinë Speciale. Një tjetër projektligj i miratuar është edhe ai për Siguri Kibernetike./Indeksonline/