75 Mall Live Search
14:23 / E Diele, 02 Tetor 2022 / LB

Dhuna si instrument për zgjidhjen e problemeve në shoqërinë tonë

Shkruan: Lutrim Sahiti, sociolog

Sot është dita ndërkombëtare kundër dhunës dhe në vend që të flasim për të arriturat e shtetit në eliminimin e dhunës siç bëjnë shtetet tjerta, neve si shoqëri po përballemi me një numër rekord të rasteve të dhunës qoftë ajo psikologjike, fizike apo seksuale.

Në fakt numri i madh i rasteve  të dhunës është dëshmi e gjendjes së rëndë sociale në të cilën gjendemi si shoqëri dhe dështimit të aparatit shtetëror për t’u kujdesur për shëndetin psiko-social të shoqërisë. Kështu pra tek ne dhuna po vazhdon të jetë instrument për zgjidhjen e problemeve në familje dhe shoqëri.

Shpërfaqja e këtyre dukurive negative është dëshmi e dështimit të sistemit arsimor në vend për të edukuar fëmijët tonë, pra shkollave tona u mungon roli edukues dhe ato tani merren vetëm me pjesën arsimore por jo edhe edukative siç është dashur ta kënë.

Pra mungesa e programeve specifike në kurrikulat shkollore që do t’i edukonin fëmijët mbi jetën, moralin, pasojat e sjelljeve dhe dukurive negative sjell pasoja të tilla ku fëmijët shkelin normat shoqërore pa qenë të vetëdijshëm për pasojat që shkaktojnë apo bartin ato në të ardhmen tek ata dhe tek viktimat në fjalë.

Familja historikisht ka qenë agjenci i parë dhe më i rëndësishmi i socializimit por tani në kohën e globalizimit, zhvillimit të teknologjisë, përdorimit masiv të rrjeteve sociale në tjerën anë si dhe tkurrja e saj në familje bërthamë (prindërit dhe fëmijët) familja e ka humbur fatkeqësisht rolin e saj primar të socializimit dhe ky është një shqetësim shumë i madh.

Kjo pasiqë familja dhe shkolla janë bërë të pafuqishme në rolin e tyre edukues në raport me ndikimin e rrjeteve sociale të cilat në masë të madhe po përcaktojnë sistemin e “vlerave” dhe sjelljeve të cilat bien ndesh me sistemin tonë vleror, normat shoqërore dhe kodin penal të Republikës së Kosovës.

Pra me një fjalë shteti nuk është duke investuar në edukimin e mirëfilltë të femijëve sikurse nuk është duke u marrë fare as me masat preventive për të reduktuar sjelljet dhe dukuritë negative tek fëmijët dhe të rinjtë tonë.

Madje Ministria e Punës dhe mirëqenies sociale tashmë ka mbetur nën hijen e Ministrisë së financave pa ndonje rol aktiv në eliminimin e dukurive negative, instalimin e politikave sociale të cilat do të ndikonin në ruajtjen e shëndetit psiko-social të shoqërisë dhe të rinjve në veçanti.

Sot, shoqëria ka humbur ekuilibrin e saj, normat shoqërore kanë filluar më të madhe të shkelen dhe dalëngadalë po rrëshqasim në një shoqëri të “sëmurë”.

Dëshmi për këtë janë rritja enorme e dukurive negative, duke përfshirë, vrasjet, vjedhjet, dhunën masive në familje, mashtrimet, incestet, dhunimet, përdorimi masiv i substancave narkotike nga të miturit, vetëvrasjet, sëmundjet mendore, prishjen e sistemit të vlerave e probleme tjera.

Gjendja në të cilën gjendemi si shoqëri nuk është fare e lehtë për të arritur rezultate në tejkalimin e saj.

Nder masat kryesore dhe urgjente që qeveria do të duhej të ndermerrte do të ishte ndarja e mirëqënies sociale nga ministria e financave në ministri të veçantë e cila do të merrej me trajtimin e sjelljeve dhe dukurive negative, marrjen e masave preventive përmes instalimit të rolit të sociologut në secilën shkollë që nga niveli i ciklit të ulët shkollor, fuqizimi i qendrave për punë sociale në komuna dhe punësimi i punëtorëve social dhe trajnimi i tyre në njerën anë dhe mos lejimi që në këto qendra të punësohen persona jo adekuat siç ndodhë tani me ekonomistë, juristë e profile tjera.

Një masë tjetër do të ishte edhe rritja e vigjilencës tek policia dhe prokuroria në menyrë që të mos tolerojnë rastet e tilla duke i liruar në procedurë të rregullt shkelësit e ligjit dhe devijantët por ata të jenë nën vëzhgim si dhe të ri-socializohen në qendra të ri-socializimit të cilat mungojnë në vendin tonë, ashpërsimi i dënimeve për shkelësit e rëndë të ligjit.

Shteti po ashtu duhet të instalojë mekanizma të kontrollit social duke krijuar kështu mundësi të zhvillimit të telenteve të të rinjve dhe fëmijëve tonë, duke u marrë me aktivitete sportive dhe rekreative e të cilat shërbejnë si mekanizma të kontrollit social duke i larguar ata nga sjelljet dhe dukuritë negative.

Në anën tjetër familja, prindërit duhet të kenë një rol më aktiv në edukimin e e fëmijëve të tyre duke i mishëruar ata me vlerat dhe normat tona shoqërore dhe duke “kontrolluar” qasjen e tyre në rrjete sociale të cilat po shkelin rregullat dhe normat shoqërore dhe në shumë raste po manipulojnë me fëmijët e tyre.