15:45 / E Premte, 07 Tetor 2022 / B O

Drejtorit të Auditimit në SHSKUK i digjen dy vetura, brenda 50 ditëve!

Me 19 gusht, vetura e tipit Audi i ishte djegur tërësisht drejtorit të Audimit në SHSKUK, Musa Vitisë.

Pa marrë kurrë një përgjigje zyrtare për këtë rast, Vitija sot është përballur me humbjen tjetër të veturës.

Kjo pasi që në parkingun e SHSKUK-së është djegur tërësisht vetura tjetër e tij.

Vitija ka thënë se nuk është ndier asnjëherë i kërcënuar dhe se nuk ka dyshime se kush mund të qëndrojë prapa djegies së veturave të tij.

Ai ka thënë se është tejet i shqetësuar me këto dy rasye, por shpreson që Policia të zbardhë rastin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lidhur me rastin e djegies së veturës së dytë të Musa Vitisë, ka reaguar edhe SHSKUK.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), njofton se sot derisa po mbahej mbledhja e Bordit Drejtues të ShSKUK-së dhe ishte duke raportuar drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, vetura e tij private është djegur në parkingun e drejtorisë së përgjithshme të ShSKUK-së.

ShSKUK menjeherë ka njoftuar Policinë e Kosovës dhe Zjarrëfikësit të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Bordi Drejtues dhe drejtoria e ShSKUK-së shprehen të shqetësuar me këtë rast, meqë djegia e veturës së të njëjtit zyrtar ka ndodhur edhe para disa javësh dhe kërkojnë nga organet kompetente të hetojnë rastin në detaje” thuhet në reagim./Indeksonline/