Plumbat që shkaktuan dëme nëpër Podujevë (Foto)

Pasditen e së martës, në qendër të Podujevës janë dëgjuar të shtëna armësh nga të cilat tre persona kanë mbetur të plagosur.
Pjesëtarë të dy familjeve Krasniqi dhe Spahiu nga rrethi i Podujevës pasi dolën nga një seancë gjyqësore u përleshën sërish.
Policia ka arrestuar dy persona ndërsa dy të tjerë janë identifikuar dhe të njëjtit janë në kërkim.
Predhat e plumbave kanë shkaktuar dëme materiale edhe në hapësirën përreth vendit të ngjarjes.
Madje një personi ju dëmtua xhami i makinës ndonëse ishte larg vendit të ngjarjes rreth 1 km.
Pronari i makinës ka thënë për IndeksOnline se policia ka qenë në vendin ku është dëmtuar makina dhe kanë bërë një raport për rastin.
Ai thotë se plumbi fillimisht e ka goditur shtëpinë e tij e më pas ka rënë mbi makinë.
Policia e Kosovës ka njoftuar sot se si pasojë e të shtënave me armë zjarri lëndime trupore ka pësuar i dyshuari mashkull kosovar i cili vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK, pastaj si pasojë e xhamave të thyer lëndime kanë pësuar edhe dy kalimtarë të rastit, viktimat meshkuj kosovar të cilëve iu është ofruar tretman mjekësor e më pas janë liruar për në shtëpi.
Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar, ndërsa edhe dy të dyshuar janë në arrati.
Me vendim të prokurorit të dyshuarve iu caktohet masa e ndalimit, njëri i dyshuar është dërguar në qendrën e mbajtjes ndërsa tjetri vazhdon trajtimin në QKUK nën sigurimin e policisë. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore./IndeksOnline/
