Vazhdon ende kaosi në rrugët e Prishtinës (Foto)

Kaosi në rrugët e Prishtinës është duke vazhduar gjatë gjithë ditës. E situata tashmë kur ka përfunduar orari i punës, është bërë edhe më e rëndë.
Veturat dhe autobusët urban janë bllokuar nga ngarkesa e madhe në trafik.
Ky kaos ka ardhur gjatë testimit që komuna e Prishtinës i ka bërë shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Testimi do të zgjatë deri të dielën më 30 tetor.

Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve:
- Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë
- Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.
- Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE
- Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore
- Rruga “Ukshin Hoti”
- Rruga “Robert Doll”
I gjithë procesi do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
Komuna iu bënë thirrje qytetarëve të Kryeqytetit të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor.
