Bordi i SHSKUK-së viziton spitalin në Prizren

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, të martën ka vizituar Spitalin e Përgjithshëm ”Prim. Dr.Daut Mustafa” në Prizren.
Bordi Drejtues i SHSKUK-së, i udhëhequr nga Dr. Aida Rexhepi, kryesuese, është pritur nga Këshilli Drejtues i Spitalit, i udhëhequr nga Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, drejtoreshë ekzekutive.
Drejtoresha ekzekutive e Spitalit të Prizrenit, para Bordit Drejtues të SHSKUK-së, ka raportuar për gjendjen aktuale, punët, të arriturat dhe projektet që janë në realizim.
Ajo njoftoi Bordin Drejtues për projektin ”Kardiologjia Intervente-laboratori për kateterizim” dhe objekti ”Për Nëna dhe Fëmijë”, projekte që janë në realizim e sipër, por edhe me sfidat që po ballafaqohet Spitali.
Pas raportimit të drejtoreshës, Kyesuesja e Bordit Drejtues të ShSKUK, Dr. Aida Rexhepi, ka premtuar angazhim dhe mbështetje në realizim të projekteve që do të jenë në të mirë të gjithë qytetarëve.
“Ne jemi të përkushtuar të përkrahim projektet, investimet në SHSKUK me të gjitha njësitë përbërëse, me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së besueshmërisë së qytetarëve për marrjen e shërbimeve shëndetësore. Jam shumë optimiste se me përkrahjen e Qeverisë, përkatësisht rritjen e buxhetit për shëndetësi, viti 2023 do të jetë vit i investimeve më të mëdha në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, në rastin konkret në spitalin e Prizrenit, i cili pas QKUK-së është spitali më i madh në Kosovë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, vizita e sotme është dëshmi për përkrahjen e spitalit të Prizrenit, përkatësisht përkrahje për drejtoreshën ezkekutive dhe menaxhmentin e spitalit në realizimin e projekteve dhe objektivave që kanë për qëllim ofrimin e shërbimeve sa më të mira për pacientë.
Anëtarët e Bordit Drejtues më pas kanë vizituar hapësirat ku është bërë ndërtimi dhe apdaptimi dhe ndërtimi i hapësirave të kardiologjisë intervente, Repartin e Kirurgjisë, Repartin e Neonatologjisë, sallën e operacioneve dhe Shërbimin e Hemodializës.