Dështon mbledhja e Komisionit për AKI, Ganimete Musliu tregon arsyen pse

Ka dështuar mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka bërë të ditur kryesuesja e këtij komisioni, Ganimete Musliu.
Ajo ka thënë për “Ekonomia Online” se dështimi ka ndodhur për shkak të mungesës së kuorumit. Sipas saj, dështimi ndodhi pas ndërrimit të orarit të mbajtjes së mbledhjes.
“Sot është thirrur një mbledhje e rregullt e Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Ndoshta mund ta lë si shkaktar pak ndërrimin e orarit pasi zakonisht ne i kemi mbledhjet në ora 10:00, por meqë sot është një dëgjim publik për Ligjin për Sigurinë Kibernetike, na është dashtë që të mbajmë një orë më herët mbledhjen dhe mungoi kuorumi”, ka thënë ajo.
Musliu ka thënë se janë disa deputetë në këtë Komision mungojnë rregullisht.
“Në realitet nuk ndodh shpesh që mbledhjet e komisionit na dështojnë për kuorum, por fatkeqësisht janë deputetët e njëjtë që mungojnë, ata deputetë që sot nuk ishin nuk janë në çdo mbledhje”, ka deklaruar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës.