Trajkoviç: Kam frikë se Kurti dhe Vuçiq po e shijojnë krizën në veri

Deputetë, asamblistë, policë, gjyqtarë e prokurorë serb të integruar në institucionet e Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Kthimin e tyre ata po e kushtëzojnë me tërheqjen e vendimit të Kosovës për targat serbe dhe krijimin e Asociacionit.
Lidhur me situatën e krijuar atje dhe dorëheqjet e serbëve, për Indeksonline ka folur kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç, e cila ishte edhe deputete e Kuvendit të Kosovës.
Ajo thekson se serbët në veri këtë vendim nuk e morën në mënyrë të pavarur, duke shtuar se “është e qartë” se ky është vendim i Qeverisë së Serbisë.
“Jam e zhgënjyer nga vendimi i Qeverisë së Serbisë për të minuar Marrëveshjen e Brukselit dhe për të tërhequr të gjithë përfaqësuesit serbë nga institucionet vendore që janë shpëtimi i komunitetit tonë. Serbët në veri nuk e morën këtë vendim në mënyrë të pavarur, kjo është e qartë”, thotë ajo për Indeksonline.
Trajkoviç është pro angazhimit përmes institucioneve dhe jo tërheqjes.
“Unë jam gjithmonë pro angazhimit përmes institucioneve. Duke u tërhequr prej tyre, ne hapim hapësirë për paligjshmëri dhe konflikte, nga të cilat mund të përfitojnë vetëm ekstremistët dhe kriminelët e të dyja palëve. Ne kemi nevojë urgjente për një kthim te një lloj ligjshmërie dhe normaliteti”, pohon Trajkoviç.
Në anën tjetër ish-deputetja ia ka frikën se “Kurti dhe Vuçiq po e shijojnë këtë krizë të Marrëveshjes së Brukselit”.
“Kam frikë se z. Kurti edhe z. Vuçiq po e shijojnë këtë krizë të Marrëveshjes së Brukselit, sepse ajo e kamuflon mungesën e tyre të progresit të konsiderueshëm në procesin e negociatave. Forcimi i palëve kundërshtare dhe mosgatishmëria e tyre për kompromis na kanë sjellë këtu ku jemi tani. Kjo duhet të ndryshojë. Procesi duhet të ripërqendrohet te njerëzit nga të cilët supozohet të përfitojnë negociatat: qytetarët e thjeshtë. Serbët e Kosovës aktualisht janë ngecur në mes pushteteve të korruptuara të Vuçiqit në veri, dhe në anën tjetër të narrativës dehumanizuese të Kurtit. Këta njerëz duhet të sigurohen se, pavarësisht nga statusi përfundimtar i Kosovës, jeta dhe jetesa e tyre – si dhe jeta e fëmijëve dhe nipërve – do të jenë të sigurta dhe të mbrojtura. Se do të jenë qytetarë të barabartë dhe jo thjesht pione në ndonjë lojë politike”, theksoi ajo për Indeksonline.