Ish-ylli i Real Madridit dhe Interit është në listën e Dukës për selektor të Shqipërisë

Kombëtarja shqiptare luajti dje miqësoren e parë për këtë muaj ndaj Katarit në Spanjë, në drejtimin e Edi Rejës, që me shumë mundësi i kanë mbetur edhe dy ndeshje në stolin kuqezi, atë me Italinë në 16 nëntor dhe tri ditë më vonë me Armeninë.
“Panorama Sport” mëson se një tjetër emër i ri ka dalë në skenë për të marrë “timonin” e Shqipërisë.
Bëhet fjalë për Esteban Cambiasson, ish-lojtarin e Real Madridit e Interit dhe kombëtares argjentinase.

Gazeta mëson se Kambiaso është kandidati potencial për stolin kuqezi, teksa pak ditë më parë ka mbërritur në Shqipëri dhe “Panorama Sport”siguroi edhe pamjet ku ish-mesfushori ka pozuar në Tiranë.
Me italianin Edi Reja, i cili është edhe në muajin e fundit të kontratës, FSHF po punon për të gjetur një zëvendësues, edhe pse ndarja me 77-vjeçarin pritet të bëhet pas miqësoreve me Italinë dhe Armeninë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, përveç Marco Giampaolos, i cili po ashtu është një pistë, në skenë ka dalë edhe emri i Esteban Cambiassos.

Mësohet se fituesi i tripletës së famshme me Interin ka darkuar me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe ka pasur edhe një bisedë për këtë gjë.
Madje argjentinasi ka qenë në takim edhe me kryeministrin e vendit Edi Rama. Edhe pse akoma nuk kemi asgjë zyrtare, Kambiaso është një nga kandidatët potencialë për të udhëhequr Shqipërinë në rrugën e kualifikueseve të Europianit, të cilat do të nisin vitin e ardhshëm.