75 Mall Live Search
14:43 / E Premte, 11 Nëntor 2022 / B O

Kryeministri japonez shtyn udhëtimet e rëndësishme për shkak të “krizës” në qeveri

Për shkak të “krizës” në qeveri, kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida u detyrua të “shtyjë” udhëtimet në Azinë Juglindore të premten, përfshirë edhe atë në Kamboxhia, e cila është organizatore e samitit të bllokut të shteteve të Azisë Juglindore, ku marrin pjesë liderë botërorë.

“Kishida vendosi të shtyjë udhëtimet e tij pasi shkarkoi ministrin e Drejtësisë, Yasuhiro Hanashi për komentet e tij të diskutueshme të cilat gjerësisht u panë si nënvlerësim i rolit të tij në miratimin e ekzekutimit të të dënuarve me vdekje”, raportoi Kyodo News me bazë në Tokio.

Kishida kishte planifikuar të udhëtonte jashtë Japonisë të premten pasdite, sipas kohës lokale, shkruan IndeksOnline.

Ishte planifikuar që kryeministri të merrte pjesë në samitet e 40-të dhe të 41-të të Asociacionit të Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe takimet në Phnom Penh, kryeqyteti i Kamboxhias, të shtunën dhe të dielën, së bashku me krerët rajonalë dhe presidentët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

Kabineti i Kishida-s ka një rejting të ulët në opinion, i cili është përkeqësuar për shkak të ministrit në largim Hanashi, i cili tha të mërkurën se “portofoli i tij ministror është një pozicion i ulët” dhe “ai bëhet top temë në programet e lajmeve të ditës vetëm kur vendos vulë mbi dokumentet e ekzekutimit”.

Komentet e tij tërhoqën kritika të ashpra, ndërkaq burime qeveritare pretendojnë se “nënvlerësuan rolin e tij në autorizimin e ekzekutimeve të të dënuarve me vdekje”.

Hanashi, i cili ka qenë ministër që nga gushti, është anëtari i dytë i kabinetit që shkarkohet nga Kishida, i cili shkarkoi një tjetër ministër muajin e kaluar për lidhje të dyshuara me Kishën e diskutueshme të Unifikimit.

Ken Saito, ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit, pritet të zëvendësojë Hanashin si ministri i ri i Drejtësisë. Ministri në largim i ka dorëzuar kryeministrit dorëheqjen.

Partia Liberal Demokratike në pushtet është zhytur në një krizë, kryesisht e lidhur me kishën, të cilën Kishida ka kërkuar ta zgjidhë duke u kërkuar anëtarëve të qartësojnë pozicionet e tyre.

Rejtingu i qeverisë Kishida u godit kur ai vendosi të organizojë funeral shtetëror për ish-kryeministrin e vrarë Shinzo Abe, pavarësisht protestave publike mes inflacionit dhe dobësimit të jenit.

Sipas Michael Penn, një gazetar me bazë në Tokio, Kishida “vërtet ka vështirësi për të ngritur veten nga dyshemeja për sa i përket rejtingut të opinionit”.