Klinikat në QKUK s’kanë as penj kirurgjik, pacientët detyrohen t’i blejnë

Pacientët të cilët trajtohen në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), detyrohen që vet t’i blejnë pothuajse të gjitha barnat, që iu duhen për trajtim. E së fundi ata të cilët duhet t’i nënshtrohen ndonjë ndërhyrje kirurgjike në klinikat e QKUK-së, detyrohen t’i blejnë dhe penjtë kirurgjik, pasi që klinikat nuk i kanë as ato.
Blerta Ibrahimi e cila kishte sjellë nënën e saj në QKUK për operim, tha se i kishin blerë vetë penjtë pasi që Klinika nuk kishte.
“Mjekët na thanë që duhemi me i ble dhe penjtë për operacion, se këtu nuk kishte. E përveç penjve ne që sa ditë kemi ble dhe plot gjëra tjera. Por kur nëna u desh të hyjë në operacion, na thanë t’i blejmë dhe penjtë”, thotë ajo.
Ndërsa të pyetur nga IndeksOnline, se pse Klinikat nuk kanë as penj kirurgjik, Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) shpjegon se mungesa e penjve kirurgjik, ka ndodhur për shkak se lënda për furnizim, është trajtuar për një kohë të gjatë në OSHP.
Shqipe Fetahu, U.D drejtor i Shërbimit Klinik Farmaceutik në QKUK, në përgjigjen e saj për “IndeksOnline”, thotë se lënda për furnizim, është trajtuar për një kohë të gjatë në OSHP dhe se procedurat për furnizim me penj kirurgjikë, janë ende duke u trajtuar në Zyrën e Prokurimit të SHSKUK. Ndërsa pohon se janë në pritje të kontraktimit, në mënyrë që furnizimi me penj kirurgjik të normalizohet.
“Sa i përket penjve kirurgjikë, ju informoj se lënda për furnizim, është trajtuar një kohë të gjatë në OSHP dhe procedurat për furnizim me penj kirurgjikë, janë ende duke u trajtuar në Zyrën e Prokurimit të SHSKUK. Jemi në pritje te kontraktimit në mënyrë që furnizimi të normalizohet “, thuhet në përgjigjen e Fetahut për IndeksOnline.