Sipas Alban Bushit, Shqipëria ka lojtarë më të mirë se Xhaka e Shaqiri!

Alban Bushi e sheh Brazilin si pretendentin kryesor për të fituar titullin kampion në këtë Kupë Bote dhe ideja i është përforcuar pasi pa paraqitjen ndaj Serbisë. Në “Qatar N’24”, ai shpjegoi se motivimi i “seleçaos” ndoshta ka ardhur duke parë edhe dështimet e skuadrave si Argjentina dhe Gjermania. Ndërkohë, ai foli edhe për praninë e një lojtari në fundin e karrierës, si Luis Suarez, teksa theksoi se për lojtarë të tillë duhej që trajneri të vendoste diktatin.
“Sportistët kanë shumë dëshirë të luajnë por kur shihja Suarez, nuk do të doja të isha si Suarez në fushë. Ishte shumë i mbaruar le të themi, kishte marrë shumë kile. Të përfaqësosh një popull në Botëror, duhet të jesh në formë. Kur je trajner duhet të marrësh edhe vendime të rëndësishme, si bëri Ten Hag me Ronaldo.
Riçarlison ishte shumë i koordinuar te goli i dytë, shumë inteligjent si sulmues. Po priste momentin. Brazili nuk është se krijoi shumë raste, por ka shumë kualitet, yje që nuk humbin topin dhe nuk i la mundësi Serbisë që të shkonte në sulm. Luajti mirë, ishte shumë i uritur. Mendoj se Argjentina dhe Gjermania e kanë motivuar shumë, nuk e pashë neglizhent. E shoh shumë të uritur, e duan Kupën më shumë se të tjerët. E shoh të uritur, edhe populli e do. Brazili ka edhe një mbrojtje shumë të fortë. Nëse Argjentina ka mbrojtje jo të mirë, Brazili ka mbrojtje shumë të fortë.
A do shkonim në Botëror me Shaqirin dhe Xhakën te Shqipëria? Ne kemi lojtarë më të mirë se Xhaka dhe Shaqiri aktualisht në Kombëtaren shqiptare. Patjetër që kemi lojtarë. Patjetër që ata kanë lojtarë shumë të mirë dhe mund të ishim bërë më të fortë. Por edhe kështu siç jemi mund të shkojmë në Botëror”, shpjegoi Bushi.