FBK dënon ashpër dhunën dhe huliganizmin në basketboll

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dënon ashpër dhunën dhe huliganizmin në basketboll.
Në një postim në Facebook thuhet se FBK ka bërë të gjitha përgatitjet në lidhje me Superkupën e Kosovës dhe sidomos ndeshjen finale ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.
Para kësaj përballje është mbajtur edhe një takim me Policinë e Republikës së Kosovës, ku është marrë vendim që të largohen të gjitha ulëset VIP, kemi krijuar tampon zone mes tifozërive, e kemi përgatitur planin operativ për ardhjen dhe largimin e tifozërive, si dhe janë angazhuar forca te mjaftueshme të Policisë dhe sigurimit privat.
“Dënojmë fuqishëm dhunën e shfaqur në takimin e finales Sigal Prishtina-Trepça dhe do të bëjmë të gjithë përpjekjet që këto skena të mos përsëriten asnjëherë në basketbollin e Kosovës. Ne kemi ndaluar udhëtimet e tifozëve mysafirë në Superligë dhe do të vazhdojmë me masa tjera, deri në zhdukjen e huliganizmit, që nuk ka vend në sportin tonë të dashur dhe që kemi derdhur dhe po derdhim shumë djersë. FBK do të analizojë ndeshjen e sotme dhe do të marrë masat e nevojshme”, thuhet në reagim.
Të gjitha veprimet FBK-ja do t’i bëjë në koordinim të plotë me Këshillin për Parandalimin e Dhunës në Sport.