“The Guardian”/ Kurti për situatën në veri: Rusia po nxit tensione pasi po çalon në Ukrainë

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin se Rusia po nxit tensione mes shtetit të tij dhe Serbisë, për shkak të çalimit në luftën në Ukrainë, në kohën kur Beogradi ka bërë kërkesë për kthim të ushtrisë në Kosovë, ka shkruar mediumi prestigjioz “The Guardian”.
Siç raporton “The Guardian”, kërkesa e Serbisë me shumë siguri do të refuzohet, por shqetësimi është se ky mund të jetë hapi i parë drejt një vendimi të njëanshëm për lëvizje ushtarake.
Kurti ka deklaruar se është i shqetësuar që situata e tensionuar mund të përshkallëzohet në avantazh të Vladimir Putinit, pasi forcat ruse e serbe kanë kryer 104 ushtrime të përbashkëta ushtarake më 2021. Ai ka thënë se është pajtuar me KFOR-in, që t’i jepet kohë për t’i hequr barrikadat, por se “s’do t’i lejojnë gjatë”. I ka përshkruar barrikadat si hap drejt “copëtimit të shtetit”.
“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave s’mund të përjashtojë mundësinë e viktimave”, ka thënë ai, shkruan “The Guardian”. “Dhe kjo është përse ne duam të jemi sa më shumë që mundemi të kujdesshëm që të sigurohemi se s’do të ketë destabilizime e se paqja dhe siguria do të jenë në vend. Gjithsesi, s’mund të lejojmë përgjithmonë shkeljen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Andaj, kjo duhet të marrë fund, sa më herët aq më mirë”.
Sipas Kurtit, edhe Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që barrikadat duhet të hiqen, por se shqetësohen se si mund të përdoret e abuzohet kjo nga Beogradi.
“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë është lidhja e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihet kjo në funksion, në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri. Mendoj se shqetësimi më i madh i tyre është i qartë: se tash Rusia që po çalon në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit, ka interes për përhapje. Kanë interes t’i transferojnë në Ballkan përpjekjet e tyre luftënxitëse, aty ku e kanë një klient në Beograd”, u shpreh Kurti.
Moska zyrtare ka thënë se dëshiron që “situata të zgjidhet nëpërmjet rrugëve diplomatike, por se qëndron që të gjitha të drejtat e serbëve të garantohen”.