Kërkohet dorëheqja e drejtorit të Spitalit të Pejës, pas skandalit me foshnjën e vdekur

Pakujdësia e madhe në Spitalin e Pejës, bëri që një foshnje e vdekur të përfundojë në lavatriçën e spitalit.
Indeksonline ka raportuar nga afër për rastin që tronditi opinionin, duke dhënë detajet më të fundit lidhur me të.
Qytetarët tashmë janë duke kërkuar dorëheqjen edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Spitalit, Fazli Shala.
Ata kanë vërshuar me komente faqen zyrtare të Spitalit, duke kërkuar dorëheqje morale pas rastit tragjik.

Që nga momenti kur rasti në fjalë u bë publik, nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës janë suspenduar katër mami, një pastrues dhe dy infermiere.
Spitali i Pejës ka shkarkuar drejtorin e Repartit të Gjinekologjisë dhe kryeinfermierën e këtij reparti.
Ndërkohë, sot Spitali shkarkoi gjithashtu Drejtorin Mjekësor dhe Drejtorin e Infermierëve.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë shkarkoi ushtruesin e detyrës së kryeinspektorit në Inspektoriatin e Shëndetësisë./Indeksonline/