FSSHK kërkon që koeficienti të mos jetë më i ulët se 50 përqind e pagës minimale

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) me qëllim të ruajtjes së paqes sociale dhe bashkëpunimit të ndërsjellë si dhe evitimin e masave sindikale, fton publikisht Qeverinë e Republikës së Kosovës që vlera e koeficientit e paraparë të përcaktohet me Ligjin për ndarjet buxhetore, të mos jetë më e ulët se 50 përqind e vlerës së pagës minimale të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës (264 euro bruto) përmes Projektligjit për pagën minimale i cili ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Ne jemi duke përcjellë me vëmendje të plotë çdo vendim i cili pritët të merret nga Qeveria lidhur me vlerën e koeficientit. Duke respektuar punën dhe kujdesin ndaj pacientëve në vazhdimësi, jemi përpjekur që t’i shmangim reagimet sindikale çoftë përmes Protestës apo Grevës. Andaj duke pasur prioritet dialogun social ju bëjmë thirrje që kërkesa jonë të aprovohet, në mënyrë që të evitohen veprimet e mundshme sindikale me theks të veçantë në sektorin e shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.