Oda e mjekëve i quan të pamatura deklaratat e drejtorit të Kardiologjisë, thotë se po hetohen mjekët dhe drejtori

Rasti i cili ka ndodhur në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, ku një pacient ka vdekur pas një ndërhyrje e cila u cilësua e suksesshme e më pas pacienti ka vdekur, ka ngjallur reagime të shumta, pas deklaratës së drejtoritë të Kardiologjisë Rifat Brahimaj i cili tha se mjekët që kanë kryer operimin nuk kanë qenë kompetent. Kryetari i Shoqatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, menjëherë ka reaguar duke i bërë thirrje Odës së Mjekëve të Kosovës që ta trajtoj seriozisht rastin e pacientit. Ndërkaq Oda e Mjekëve ka pohuar se hetimet tashmë kanë filluar. Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu në një intervistë për “IndeksOnline”, ka pohuar se kanë filluar hetimet ndaj mjekëve dhe ndaj drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë Rifat Brahimaj, për shkak të deklaratës së tij për jo kompetencë të mjekëve.
“Me të dalë në publik, në të vërtetë ne nuk kemi qenë të informuar, përveç atij rasti që është në media sociale ka dalë se është bërë një intervenim, për herë të parë në Kosovë. Ne nuk kemi pasur informatë zyrtare përveç nga mediat dhe menjëherë kam kërkuar prej Prokurorit të odës të fillojnë hetimet qysh në mesditë dje. Dhe procedurat kanë filluar që sot dhe se hetimet do të bëhen edhe për mjekët operatorët, të shikojmë se çfarë ka ndodhur. Por njëkohësisht dhe ndaj drejtorit, për shkak të deklaratës se ata nuk kanë qenë kompetent. Kurse kompetenca matet me pasjen apo mos pasjen e një licence pune të pavarur”, ka thënë ai.
Sejdiu thotë se deklarata e drejtorit Brahimaj se mjekët që e kanë kryer operacionin nuk kanë qenë kompetent, është shumë e pamatur dhe se për këtë ai do të hetohet.
“E kemi konsideruar si një deklaratë shumë të pamatur dhe prandaj kemi filluar dhe hetimet ndaj tij. Më shumë në këtë moment nuk mund të themi, sepse po zhvillohen hetimet nga prokurorët tonë dhe nga Këshilli Etik dhe mandej do të marrim vesh dhe do të kemi një deklaratë publike”, pohoi Sejdiu.
Ndryshe, kardiokirurgu Kushtrim Shala kishte postuar në faqen e tij në Facebook një operacion të kryer, të cilin e kishte cilësuar si operacion të rrallë e të suksesshëm. Por pas disa orësh, pacienti i cili doli nga ky operacion, të cilin kardiokirurgu e kishte cilësuar si të suksesshëm, kishte vdekur. E drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë Rifat Brahimaj, ka pohuar se do të ndërmerren masa ndaj mjekëve të cilët e kishin kryer këtë operacion. Brahimaj madje ka pohuar se mjekët që e kanë kryer ndërhyrjen, nuk janë kompetentë, pasi që për një ndërhyrje të tillë duhet të kenë përvojë të gjatë dhe ekspertizë. /IndeksOnline/