75 Mall Live Search
14:06 / E Martë, 10 Janar 2023 / LB

Podolski ‘çmendet’ në ndeshjen e bamirësisë: Përplaset me një kosovar dhe me gjyqtarin

Sulmuesi gjerman, Lukas Podolski u ndëshkua me karton të kuq dhe u përjashtua nga një ndeshje bamirësie e organizuar nga vetë ai pas një fjalosje me gjyqtarin e ndeshjes, ndërsa gjatë këtij turneu ai kishte pasur përleshje verbale edhe me futbollistin kosovar, Valon Zumberi.

Ndeshja gjysmëfinale mes Gornik Zabrze dhe Rot-Weiss Essen kaloi me shumë tensione, kurse ndeshja eskaloi në fundin e ndeshjes kur Podolski u ndëshkua me karton të kuq.

Rezultati ishte i barbartë, 2:2 në fundin e ndeshjes ku gjyqtari kishte akorduar një penallti dhe Podolski kishte filluar ta ofendonte gjyqtarin e ndeshjes për ta sulmuar më pas të njëjtin me një shishe ujë.

Pas përfundimit të ndeshjes legjenda gjermane ka folur rreth incidentit, teksa ka kërkuar falje.

“Unë jam një person që e thotë sinqerisht mendimin e tij. Në jetë – dhe në fushë. As nuk e ofendova arbitrin dhe as nuk u ndesha me të, siç shkruan disa. Ekipi im ishte qartësisht në disavantazh, kjo ishte e hapur. Dhe unë i trajtoj padrejtësitë e tilla. Me respekt, por edhe qartë”, ka thënë Podolski.

Podolski kishte pasur probleme edhe ndeshjen çerekfinale ndaj Hamburgut ku ishte përplasur me futbollistin kosovar, Valon Zumberi.

Sulmuesi gjerman ishte agresiv pas përleshjes me kosovarin por sipas raportimeve Podolski i ka kërkuar falje edhe Zumberit.

Shuma totale e këtij turneu bamirësie ka arritur 2 milionë euro.