Lautaro Martinez: “Jam mirë kur është Interi mirë”

Lautaro Martinez riktheu Interin te fitorja me dy golat ndaj Cremoneses në transfertë (1-2). Sulmuesi argjentinas, i cili në dhjetor u shpall kampion bote me Argjentinën, është ngjitur në shifrën e 69 golave në Serie A.
Atmosfera në kampin zikaltër nuk ishte e mirë pas humbjes shtëpiake ndaj Empolit, por fitorja e sotme ka rikthyer qetësinë te nënkampionët e Italisë. Java e ardhshme është e zjarrtë për Interin.
Të martën zbarkon Atalanta në “San Siro” për duelin çerekfinal të Kupës së Italisë, ndërkohë që të dielën (5 shkurt) është radha e derbit ndaj Milanit në kampionat. “Unë jam i lumtur kur është Interi i lumtur”, u shpreh sulmuesi, i cili vijoi edhe më tej.
“Pikët e sotme peshojnë shumë, pasi vinim nga një humbje. Punuam fort, dhe sot e kishim detyrim rikthimin në Milano me tri pikë. Derbi? Në fillim kemi Atalantën në Kupë. Të gjithë e dimë se si janë ndeshjet ndaj tyre…
Na pret një luftë përballë Atalantës. Më pas do të mendojmë për Milanin. Kemi humbur shumë pikë në kampionat. Nuk duhet të shohim renditjen, thjesht duhet të ruajmë qetësinë”, përfundoi Lautaro Martinez./SS