75 Mall Live Search
10:59 / E Hënë, 30 Janar 2023 / MSH

Tre të dyshuar u arrestuan vitin e kaluar mbi dyshimin për krime lufte

Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës ka publikuar buletinin e dytë lidhur me vitin 2022, e që ka të bëjë me rastet për krimet e luftës pranë gjykatave të Kosovës.

Në bazë të të dhënave, gjatë vitit që lamë pas, tre persona u arrestuan, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer krime lufte.

Një nga tre të arrestuarit është Ekrem Bajroviq, i cili përfundoi në pranga më 19 tetor të vitit të kaluar, nën dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullatës civile” gjatë majit të vitit 1999, në fshatin Staradran të Istogut.

Gjatë kohës kur Bajroviq dyshohet të ketë kryer këto krime lufte, ai shërbente si polic në stacionin policor në Gjurakoc.

Në dhjetor të 2022-tës u arrestua edhe Gavrillo Millosavleviq, me po të njëjtat dyshime për kryerje të krimeve të luftës mbi popullatën civile. Milloslaveviq dyshohet se ka kryer krime lufte në periudhën mes viteve 1998-1999, gjatë kohës kur edhe ishte gardian në burgun e Dubravës. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në maltretimin dhe ekzekutimin e të burgosurve shqiptarë në këtë burg.

Më 15 dhjetor u arrestua Sllagjan Trajkoviq nën dyshimin se edhe ky ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë majit të vitit 1999, në fshatin Reznik të Vushtrrisë dhe në qytetin e Vushtrrisë.

Bajroviq, Millosavleviq dhe Trajkoviq gjenden në masën e paraburgimit, teksa hetimet mbi akuzat ndaj tyre janë duke vazhduar.

Sipas FDHK-së, përgjatë vitit që lamë pas, janë mbajtur 21 seanca në shkallën e parë dhe të dytë ndaj gjashtë të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës.

I vetmi vendim i cili lidhet me këtë vepër penale e që u mor në vitin 2022 ishte ai ndaj Goran Stanishiqit, i dyshuar për krime lufte, i cili u dënua me 15 vite burg.

I njëjti u shpall fajtor për vrasjen e 13 civilëve shqiptarë dhe dëbimin e popullatës nga fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në periudhën 15-16 prill të vitit 1999.