75 Mall Live Search
20:13 / E Enjte, 09 Shkurt 2023 / MSH

Kurti sfidohet nga opozita për shfuqizimin e marrëveshjes për Asociacion, si do të votonin deputetët e VV-së?

Ditëve të fundit është aktualizuar më të madhe çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ndërkombëtarët po kërkojnë themelim të menjëhershëm të Asociacionit, në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kushtëzuar formimin e Asociacionit me gjashtë kushte.

Shefi i ekzekutivit është sfiduar sot në Kuvendin e Kosovës nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi me dërgimin për shfuqizim të kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës.

“Hajde sille, po ta ç’ratifikojmë, 80 vota qetu po t’i bojmë, po e anulojmë dhe po e zhvlerësojmë…Ti po fol për marrëveshjen e 2013 si problem, sille pra nëse është problem, bo e zhvlerësojmë, a në anën tjetër po fol për njohje të ndërsjellë, ashtu siç kemi fol na në vitin 2013, sepse kemi besuar se është njohje de facto”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli i kontaktuar nga IndeksOnline përkitazi me këtë çështje, ka thënë se kjo marrëveshje nuk do të duhej të shkonte fare në Kuvend.

“Së pari, kjo marrëveshje nuk do të duhej të sillej fare në Kuvend asokohe që tash ta kemi këtë diskutim. Nëse shkelet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në Kosovë, normalisht që do votoja pro shfuqizimit”, ka thënë Agusholli.

Edhe deputeti Arbër Rexhaj ka thënë se nëse kjo marrëveshje do të shkonte për shfuqizimin në Kuvendin e Kosovës, padyshim se do të votonte për shfuqizim të kësaj marrëveshje.

Neni 18 pika 2 thotë se vendimi në lidhje me tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtarë, të referuara në paragrafin 1.10 të këtij ligji, merret nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat të votave pas rekomandimit të presidentit, me iniciative të tij ose pas propozimit nga Qeveria. /IndeksOnline/