75 Mall Live Search
12:53 / E Enjte, 16 Shkurt 2023 / B O

E akuzoi Dejona Mihalin, por a është Haki Abazi “viktimë e Grupit të Tiranës” për largimin nga Vetëvendosje?

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, ka akuzuar individë brenda partisë ku bën pjesë për kontrollë mbi Grupin Parlamentar të këtij subjekti politik.

Saktësisht ai ka përmendur Dejona Mihalin, zyrtare e VV-së nga Tirana, e cila s’është shumë e njohur për publikimin. Megjithatë Abazi asaj i është referuar si “mashë e kontrollit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes”.

Sipas deputetit Abazi, Mihali është njeriu kryesor që kontrollon dhe menaxhon me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe vendimmarrjen brenda partisë. Madje ai ka thënë se zyrtarja e VV-së nga Tirana të ketë bllokuar edhe nismat e tij në Parlament.

“Nga shkurti i vitit të kaluar kam depozituar kërkesën për krijimin e Komisionit Hetimor për Privatizim, është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmend me emër është sepse është dora, masha e kontrollit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, duke mbi vendosur mbi vullnetin e secilit deputet. Znj. Mihali s’ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme për zgjedhjet e brendshme, por është njeriu kryesor që kontrollon dhe menaxhon me Grupin Parlamentar dhe vendimmarrjen që bëhet”, u shpreh Abazi, në një konferencë për media.

Edhe para kësaj konference, në vazhdimësi është përmendur ndikimi i zyrtarëve që vijnë nga Tirana brenda kësaj partie, disa prej të cilëve janë të zëshëm edhe në publik. Përveç Mihalit, në mesin e atyre që disa herë janë identifikuar si “Grupi i Tiranës”, bëjnë pjesë edhe Boiken Abazi, Arbër Zaimi, Hysamedin Feraj e Elvis Hoxha. Disa prej tyre mbajnë pozita të larta në VV e në Qeverinë e Kosovës.

Për “Grupin e Tiranës” javë më parë kishte reaguar edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili shpesh ka qenë në shënjestër të këtyre zyrtarëve të VV-së për qëndrimet dhe veprimet e tij politike.