Kandidatët për guvernatorë, Qeveria ende nuk ka dhënë mendim

Banka Qendrore e Kosovës në fillim të këtij muaji i kishte dërguar në Qeveri dhe Kuvend emrat për përzgjedhjen e guvernatorit të ri. Burime të “IndeksOnline”, kanë thënë se kuvendi është në pritje të mendimit nga ana e Qeverisë e më pas do të procedohen në komisionin përkatës parlamentar, i cili do ti procedoj në kryesi. Deri tash sipas këtij burimi Qeveria, ende nuk ka dhënë mendim për kandidatët e përzgjedhur nga paneli i BQK-së.
“Sipas procedurave Qeveria duhet të jap një mendim për kandidatët, e më pas ato do të procedohen në Kuvend. Kjo është një procedurë ku Qeveria jap një mendim për emrat e kandidatëve dhe më pas shkojnë në kryesi. Sipas informacioneve që kam ka mundësi që gjatë kësaj jave të procedohen”, ka thënë ky burim.
Ndryshe, sipas BQK-së, pas përfundimit të veprimeve procedurale, në listën e kandidatëve janë Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkëndije Himaj. Ismaili prinë me 35.3 pikë nga 40 pikët maksimale, ndjekur nga Kryeziu me 34 pikë, ndërsa zëvendësguvernatori aktual ka marrë 33 pikë dhe Himaj që është vlerësuar me 26 pikë.
BQK-ja , aktualisht udhëhiqet nga Guvernatori Fehmi Mehmeti. Këtij të fundit i skadon mandati në mars të vitit të ardhshme. Emërimi i guvernatorit të ri do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar më 29 mars 2023 ose në datën e emërimit. Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës i cili do të përzgjedhë një individ. Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti/ja i/e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit të BQK-së. Në njoftimin e BQK-së, thuhet se konkursi është hapur bazuar në nenin 38 të Ligjit mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. /IndeksOnline/