Deputeti Shala kujton grevën historike të minatorëve: Askush më shumë se ta nuk ia di vlerën lirisë!

Ferat Shala ka kujtuar grevën historike të minatorëve të vitit 1989.
Me foto nga arkiva, Shala ka thënë se askush më shumë se minatorët nuk ia di vlerën lirisë dhe pavarësisë.

“Me rastin e javës së lavdisë dhe sakrificës së Minatorëve!
Në përvjetorin e grevës historike të minatorëve, shprehim respektin dhe me krenari sjellim në kujtesën tonë kontributin dhe sakrificën e minatorëve në të gjitha periudhat historike të Kosovës.
Me rastin e shënimit të kësaj ngjarje rikujtojmë punën, angazhimin dhe kontributin e minatorëve që dhanë ndër vite, duke qenë simboli i punës, sakrificës dhe protagonistë të proceseve të rëndësishme historike të lëvizjes për çlirim.
Askush më shumë se minatorët nuk ia di vlerën lirisë dhe pavarësisë, sepse ata ishin gjithmonë krahë i fortë dhe i pathyeshëm për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës. Ata ditën t’i dalin zot Kosovës në ditët më të vështira.
Greva e minatorëve e vitit 1989, nuk ishte thjeshtë vetëm një grevë qëndrese dhe revolte, por ishte një lëvizje politike e kohës, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave politike të shqiptarëve të Kosovës” shkruan Shala në Facebook./Indeksonline/