75 Mall Live Search
20:25 / E Premte, 24 Shkurt 2023 / MSH

Qytetarët në hall, edhe QMF-ve u mungojnë barnat esenciale

Jo vetëm Qendra Klinike Universitare ka mungesë të madhe të barnave. Janë dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, të cilat po përballen me të njëjtin problem. Aty shpesh herë mungojnë barnat nga lista esenciale, të cilat do të duhej të siguroheshin nga Ministria e Shëndetësisë, e cila është përgjegjëse për këtë.

Pacientët të cilët trajtohen nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, duhet t’i blejnë vet ilaçet nëse iu duhet trajtim.  Megjithëse fluksi i pacientëve është shtuar këto ditë, QMF-të nuk janë të pajisura me medikamente, që u duhen për pacientë.

Pacientët të cilët kanë nevojë për infuzion, për ta marrë atë duhet të dalin t’i blejnë ampulat e nevojshme në barnatore dhe të kthehen ta marrin infuzionin në QMF.

P.M, qytetare nga Prishtina thotë se e ka dërguar djalin e saj në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Breg të Diellit. Megjithëse mjekja i kishte përshkruar të marrë infuzion, ampulat apo materialet që duhej të përdoren për ta marrë infuzionin nuk i posedonin.  P.M thotë se ishte detyruar të dalë të blej Vitamin B6 si dhe  “Parol”, sepse ndryshe do të mbesnin pa infuzion.

“Shkova në Ambulanten në Breg të Diellit pasi që djali ishte sëmurë. Mjekja më tha se djali duhet të marrë infuzion, por se barnat që duheshin për infuzion nuk i kishin aty. Dola në barnatoren afër dhe i bleva “Vitamin B6” dhe “Parol” dhe u ktheva që të ia jap infuzionin djalit”, tha ajo

E Ilaçi “Parol” edhe pse gjendet në listën esenciale, ai mungon në qendrat e mjekësisë familjare.

Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës Izet Sadiku tha për “IndeksOnline” se Ministria e Shëndetësisë do të duhej t’i sigurojë barnat e Listës esenciale, por se këtë nuk po e bënë. Sipas tij MSH-ja vitin e kaluar i ka siguruar vetëm 40 për qind të barnave të Listës esenciale për QMF-të, përqindje kjo e cila është shumë e ulët.

Ndërkaq  shefi i Barnatores Qendrore Fatos Aliu tha për “IndeksOnline” se Ministria e Shëndetësisë e ka obligim që t’i sigurojë barnat e listës esenciale për Qendrat e Mjekësisë familjare. Ai e pranon që QMF-të kanë mungesë nga lista e barnave esenciale, por për këtë e bënë përgjegjëse MSH-në, e cila sipas tij nuk i ka furnizuar.

“Ministria e Shëndetësisë e ka obligim të na furnizoi, por se nuk na ka furnizuar me këto barna të cilat u duhen qendrave të mjekësisë familjare. “Parol” i cili këto ditë po mungon është në listën esenciale, por se Ministria e Shëndetësisë nuk na ka furnizuar . Tash po presim në muajin Mars a do të furnizohemi”,  tha Aliu./IndeksOnline/