75 Mall Live Search
23:08 / E Premte, 03 Mars 2023 / MSH

Mustafi për Serbinë: Para se të kërkojë të drejta për serbët në Kosovë, të njëjtat t’ua sigurojë shqiptarëve në Serbi

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, është duke qëndruar bashkë me delegacionin shqiptar në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë vizitë, delegacioni nga Lugina është duke përfaqësuar kërkesat dhe gjendjen aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Në një intervistë për Indeksonline, Mustafi tha se Lugina, duhet të jetë pjesë e integruar e dialogut, najshtu siç janë edhe komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Ai e sheh si kruciale përfshirjën e shqiptarëve dhe dhënia e të drejtave të cilat i gëzojnë kushtetueshmërisht.

“Ne jemi shumë të interesuar që çeshtja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, duke respektuar parimin e reciprocitetit, si parimin më fundamental të marrëdhënieve ndërkombëtare. Nën dy, duke pasur një gjithëpërfshirje, do të duhej të sigurohej që të ketë paqe afatgjate, stabilitet dhe prosperitet” tha Mustafi për Indeksonline.

Ai shtoi se nuk kanë të krahasuar mënyrat se si trajtohen srbët në Kosovë dhe shqiptarët në Serbi.

“Nuk kanë të krahasuar pozitat juridike të komunitetit shqiptar me komunitetin serb në Kosovë. Jemi larg, shumë larg nga mundësitë që mund të ofrojnë kornizat ligjore për të ushtruar liritë dhe të drjetat tona. Madje, duke dhënë shembuj se në Kosovë janë siguruar vendet në parlament, në Serbi, nga 250 anëtarë të parlamentit, kemi vetëm një shqiptar, dhe atë me pesë herë që ka dalë në zgjedhje për këtë mandat. Në Kosovë sigurohet çasje të përfaqësimit të komunitetit në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Apelit, atë të Lartën, në Gjykatat Komunale, në të gjitha Prokuroritë, iu ofrohen mundësi shumë më shumë, për të pasur mundësi të realizojnë të drejtat e tyre. Tash për tash, në Serbi, përkatësisht në Luginë të Preshevës, në Sangjak, dhe gjithandej ku ka pakica, këto janë të paimagjinueshme madje” tha Mustafi.

I pari i KKSh-së tha se në Serbi ka pasur një proces të centralizimit shtetëror, me një diskurs ksenofob dhe albanofog, që ka çuar në një rrugë të dezintegrimit të pakicave shqiptare.

“Është komplet një proces tjetër në Kosovë, i cili ka pasë çasje për me i përafru e me iu kriju hapësirë më të madhe, teksa te në Luginë ka qenë një proces komplet i kundërt. Serbia përpara se të kërkojë të drejta e privilegje shtesë për komunitetin serb, do të ishte e natyrshme sikur të njëjtat t’u ofroheshin komuniteteve në Serbi. Kërkesa e tyre do të ishte e drejtë, nëse po atë që e kërkojnë në Kosovë, t’ia siguronin komuniteteve në Serbi. Nuk ka asnjë arsye në rast u akordohen të drjeta dhe privilegje të njëjta komunitetit serb në Kosovë, të njëjtat t’i mohohen komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës” përfundoi Mustafi./Indeksonline/