75 Mall Live Search
11:38 / E Shtunë, 11 Mars 2023 / kutia

Përplasja Deschamps-Benzema, sulmuesi e quan trajnerin kloun

Atëherë kur besohej se saga Didier Deschamps–Karim Benzema ishte arkivuar, shfaqet seria e re përplasjes mes trajnerit të Francës dhe sulmuesit të Realit të Madridit për përjashtimin e tij nga “Katar 2022”.

Në një intervistë për “Le Parisien”, trajner i “Gjelave”, nënkampion bote në Katar dhe fitues i trofeut në “Rusi 2018”, dha versionin e tij të fakteve në lidhje me përjashtimin e Benzemasë nga lista pak para se të niste Botërori i fundit.

“Karim u lëndua, ky Botëror do të thoshte shumë për të… Ai më tha, mbaroi. Diagnoza e mjekut tonë përputhej me atë që i kishin thënë në Madrid. Në rastin më të mirë, rikthimi i tij në stërvitje nuk mund të ndodhte para datës 10 dhjetor…

Kur u ndava me të, i thashë: “Karim, nuk e kemi me urgjencë. Organizoni kthimin tuaj me menaxherin e ekipit.” Kur u zgjova, mësova se ai ishte larguar. Ishte vendimi i tij, e kuptoj dhe e respektoj.”

Nuk u desh shumë kohë që fituesi i Topit të Artë të përgjigjej. Në atë që mund të cilësohet vetëm si komedi futbolli, sulmuesi 35-vjeçar publikoi në Instagram dy postime të veçanta: “Çfarë guximi!”, duke e mbyllur me me një “emoji” klloun dhe “Holy Didier. Natën e mirë.” /ss