Prishtina shënon fitore bindëse ndaj Trepçës ’89

Prishtina ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Superligë, duke vazhduar të mbajë kështu pozitën e katërt në tabelë.
Pas fitores ndaj Drenicës, skuadra e drejtuar nga Debatik Curri sot mposhti edhe Trepçën ’89. Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 27-të.
Kryeqytetasit triumfuan me rezultatin 4:1 në ndeshjen e rikthimit të tyre në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Mitrovicasit kaluan të parët në epërsi me golin e Ardian Mujës (30′), por pastaj gjithçka u përmbys nga vendasit.

Albin Prapashtica (53′), Bujar Pllana (57′, 65′) dhe Shefit Shefiti (84′) shënuan për fitoren e “bardhekaltërve”.
Prishtina pas kësaj fitore ka 38 pikë në pozitën e katërt në tabelë, kurse Trepça ’89 ndodhet në pozitën e tetë me 29 pikë.