‘Fjalimi’ motivues i Guardiolës për Champions League: Michael Jordan fitoi 6 tituj në 16 vite…

Erling Haaland u kthye në fundjavë. Pas tri javësh jashtë skuadrës, norvegjezi shënoi dy gola ndaj Southampton. Ai ishte edhe një herë kyç, gjithashtu shpreson të jetë pikë referimi kundër Bayern Munich. Ai nuk i ka mundur asnjëherë bavarezët, duke humbur në shtatë ndeshjet që ka luajtur kundër tyre me fanellën e Borussia Dortmundit.
Në finalen e vetme për “mankunianët” deri më sot, Thomas Tuchel ishte “xhelati” i Pep Guardiolës. Ai mbërriti në vitin 2021 në stolin e bluve, me fillimin e sezonit, për ta çuar Chelsean në krye në nivel kontinental. Vetëm pak javë më parë gjermani mori drejtimin e pankinës së Bayernit dhe tani përballet sërish me City në Champions League.
A keni nënshkruar me Haaland për të fituar Ligën e Kampionëve?
Ai është shumë i rëndësishëm për ne, erdhi për të na ndihmuar të fitojmë Champions League, por edhe “FA Cup” e Premier League. Është e rëndësishme të kesh një lojtar që mund të shënojë gola nga askundi. Megjithatë, ne kemi shënuar gjithmonë gola, ky nuk ka qenë kurrë problemi kryesor.
A e keni marrë parasysh finalen e vitit 2021 kundër Chelsea gjatë përgatitjes së kësaj ndeshjeje?
Është e kaluara, ne e analizuam atë finale një muaj më vonë dhe nuk dolëm aq keq sa mendoja. Ishte një ndeshje e ngushtë. Ndonjëherë fiton kur e meriton, herë të tjera humbet. Unë nuk jetoj në të kaluarën, është pjesë e lojës.
A ju befasoi emërimi i Tuchel në stolin e Bayernit?
Isha po aq i befasuar sa nga shkarkimi i Nagelsmann. Nuk mund të jap një mendim të vërtetë. Kur një trajner shkarkohet dhe tjetri bën mirë, njerëzit thonë se ishte vendimi i duhur. Nëse ndodh e kundërta, njerëzve iu mungon trajneri i mëparshëm.
Çfarë ju ka bërë të qëndroni më gjatë në stolin e City sesa të Bayernit?
Në qytetin tim, në vendin tim, në klubin tim, përmbusha një ëndërr. Fillova si “top boy” dhe tani jam trajner. Kur të thërret Bayern Munich, duhet të shkosh. Ai “tren” kalon vetëm një herë. Nuk pendohem për asnjë sekondë për atë që ndodhi atje dhe për kujdesin që ata treguan për familjen time. Kur erdha këtu nuk e prisja të qëndroja kaq gjatë, por në jetë, ajo që planifikon për të ardhmen zakonisht nuk përfundon duke ndodhur. Unë jam këtu, kjo është e gjitha.
A jeni i fiksuar për të qenë kampion europian?
Pyetja vjen nga gjashtë, shtatë vite më parë, përsëritet çdo sezon. Ne përpiqemi çdo sezon, por ka ekipe që janë gjithashtu të mira. Duam të provojmë si zakonisht, por kjo nuk do të thotë se do të fitojmë. Michael Jordan fitoi gjashtë tituj të NBA, por sa sezone luajti? 16…