75 Mall Live Search
10:50 / E Martë, 11 Prill 2023 / LB

Serbia i drejtohet UEFA-s për ligën ilegale në Kosovë, reagon ashpër ministri Çeku

Ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku ka reaguar pas letrës së Federatës së Futbollit të Serbisë, drejtuar presidentit të UEFA-s. Në një shkrim në Facebook, Çeku ka shkruar se Serbia po vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesim si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut.

“Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Çeku.

Postimi i plotë:

Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut.

Letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar Presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.

Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë.

Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE, veç tjerash, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht.

Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat europiane e botërore të sportit.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës.