75 Mall Live Search
09:56 / E Martë, 18 Prill 2023 / S Z

Ligji për tatimin në Pronë, Hoti: Do t’i bëjë lëmsh komunat

Komisioni për Buxhet, sot do ta shqyrtoj Projektligjin për ndryshim/plotësimin e Ligjit të tatimit në Pronë. Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se ky projektligj do t’i bëjë lëmsh komunat dhe se do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave.

“Sot shqyrtohet në Komisionin për Buxhet projektligji për ndryshimin/plotësimin e Ligjit të Tatimit në Pronë. Ky projektligj do t’i bëjë lëmsh komunat. Ligji që është në fuqi është punuar gjatë me ekspertë suedez të mbështetur nga qeveria suedeze dhe i plotëson të gjitha standardet e nevojshme për administrim të tatimit në pronë.

Si i tillë, ky projektligj do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave. Do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha.  Do të vendosë tatimin në parcelat e punuar që me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur punimin e tokës”, ka shkruar Hoti.

Kjo qasje e qeverisë sipas Hotit është tepër e keqe dhe se po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset si dhe tregon mungesë të seriozitetit dhe profesionalizimit në qeverisje.

“Kjo qasje është tepër e keqe. Një ndryshim kaq i madh po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset, të cilat do të ndikohen negativisht jashtëzakonisht shumë. Kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje. Dëm i madh për ekonominë.

Këta qeveritarë sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë, e jo të ndërtojnë mbi atë që është ndërtuar deri më tani dhe të përmirësojnë lëshimet e të kaluarës”, ka shkruar Hoti në Facebook.