FHK-ja dhe FBK-ja i drejtohen MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës, kërkojnë të intervenohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) dhe Federata e Basketbollit e Kosovës po kërkojnë që të bëhen intervenime në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, aty ku zhvillohen aktivitetet sportive të hendbollit, basketbollit dhe jo vetëm.
FHK ka njoftuar se sot një takim shumë konstruktiv të punës kanë pasur sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate, Izet Gjinovci, dhe sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se “Gjinovci e Dushku kanë përgëzuar njëri-tjetrin për aktivitetet e fundit, ndërsa kanë diskutuar për koordinim sa më të mirë për ngjarjet ndërkombëtare që dy federatat i organizojnë gjatë verës”.
Tutje u bë e ditur se dy prej federatave më të mëdha sportive në vend kanë bërë kërkesë që të bëhen intervenime në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në mënyrë që palestra e kësaj qendre dhe hapësirat përcjellëse të jenë në përputhje me kërkesat e EHF-së dhe FIBA Evropës.
Kërkesa i është drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), si dhe Komunës së Prishtinës.
Si FHK-ja, ashtu edhe FBK-ja, kanë organizime të rëndësishme për grupmoshat e reja gjatë verës. Federata e Hendbollit do të organizojë Kampionatin Evropian U19 për vajza, Divizioni B.
Ndërkohë FBK-ja do të organizojë Kampionatin Evropian U16 për basketbollistë, Divizioni C.
Në fund, Gjinovci e Dushku thuhet se janë pajtuar për takime të tjera në mënyrë që koordinimi i aktiviteteve të jetë i duhuri.