Policia jep detaje për gjendjen e sotme në komunat veriore: Situata e brishtë

Policia e Kosovës është deklaruar për zhvillimet në tre komunat veriore.
Policia në një njoftim dërguar medieve, ka bërë me dije se protestat po vazhdojnë edhe sot, pranë objekteve komunale.
Sipas Policisë, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë.
Komunikata e plotë:
Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.05.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.
Protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë.
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme.
Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato.