Kryetari i Zveçanit i dëgjon këshillat amerikane, punën po e kryen nga fshati Kelmend

Protestat e dhunshme para objektit të komunës në Zveçan, e kanë detyruar kryetarin e ri të Zveçanit, Ilir Peci që detyrën e tij, mos ta kryej nga zyra qendrore e komunës, por në një objekt tjetër.
I kontaktuar nga IndeksOnline, Peci ka bërë me dije se punën po e kryejnë nga fshati Kelmend.
“Situata është sot më e qetë. Në fshatin Kelmend po e kryejmë punën. Nuk kemi shku në zyre në Zvecan. Po kemi marrë këshilla prej ndërkombëtarëve”, ka thënë Peci.
Pas takimit të ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin Kurti, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier deklaroi për mediet një ditë më parë, se i kanë propozuar Kurtit që katër kryetarët e komunave veriore të vendit, që për një kohë të shkurtër, mos të shkojnë në objektet komunale, por detyrat e tyre t’i kryejnë nga objekte tjera./IndeksOnline/