Musliu për protestat e thirrura në Mitrovicë: Janë të dyshimta dhe jo qëllimmira

Njohësi i sigurisë, Agim Musliu nga Instituti OCTOPUS, ka deklaruar se protestat e thirrura për sot në Mitrovicë, janë nga identitete fiktive.
Ai ka konfirmuar atë që deklaroi Policia e Kosovës më herët, ku u theksua se “pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës”.
“Protestat e organizuara, gjoja nga shqiptarët, në kanalin e komunikimit rus, telegram, ku identitetet janë fiktive, nuk janë qëllimmira dhe janë shumë të dyshimta!
Edhe Policia e Kosovës e dha këtë konkluzion, prandaj ne si OCTOPUS, bëjmë thirrje që askush mos të mashtrohet në kësi situate!” ka thënë Musliu.
Në rrjete sociale dje dhe sot, është bërë thirrje e vazhdueshme për pjesëmarrje në protestë në ora 12:00 pranë Urës së Ibrit.
Profile të shumta në rrjete sociale kanë ftuar mobilizim të shqiptarëve nga të gjtiha anët e Kosovës, për të marshuar drejt veriut të vendit.
Më poshtë deklarata e Policisë, që bën thirrje për shpërfillje të njoftimit për protestë:
Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.
Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.
Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.
Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.