75 Mall Live Search
11:31 / E Premte, 02 Qershor 2023 / k.v

Mbrojtja e Pjetër Shalës fillon ta marrë në pyetje dëshmitarin e shtatë

Mbrojtja e Pjetër Shalës, konkretisht avokati Mohamed Hédi Aouini, ka filluar ta marrë në pyetje dëshmitarin e shtatë (me kodin 1), në seancën e së premtes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

Me fillim të pyetjeve, avokati ka kërkuar që të kalohet në seancë private, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, para fillimit të dëgjimit të dëshmisë së dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia, ka lëshuar një urdhër me gojë lidhur me kërkesën e mbrojtjes për lejimin e përdorimit të disa dokumenteve të nxjerra rishtazi për pyetje të dëshmitarit.

E njëjta tha se ka të bëjë me një fotografi dhe tri harta ajrore dhe disa përkthime shqip dhe anglisht, të nxjerra më parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Duke qenë se nuk ka pasur kundërshtime nga ZPS dhe mbrojtësi i viktimave, gjykatësja Veld-Foglia tha se lejohet përdorimi i dokumenteve të nxjerra rishtazi pasi që përputhen edhe me versione të mëparshme.

Tutje, ajo diskutoi edhe dy çështje të tjera me mbrojtjen e Shalës.

E njëjta kërkoi të dijë nëse mbrojtja do të ushtrojë kundër-përgjigje në përgjigjen e ZPS-së lidhur me kërkesën për rishqyrtim të vendimit lidhur me deklaratat e mëparshme të dhëna nga Pjetër Shala dhe atë deri më 5 qershor.

Avokati Aouini tha se do të parashtrojnë kundër-përgjigje brenda afatit të përcaktuar.

Kurse, çështja e dytë kishte të bëjë me kërkesën e gjykatëses që nëse mbrojtja dëshiron të eksplorojë më tej një temë që është trajtuar më parë nga ZPS dhe mbrojtësi i viktimave lidhur me dëshminë e dëshmitarit, fillimisht të lexohet transkripti çka ka thënë dëshmitari dhe më pas të bëhet pyetje.

Kjo sipas saj, që të shtohet kujdesi që të shmangen pyetjet e përsëritura.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.