Kontrabandë me mallra në Leposaviq: Policia konfiskon tekstil, lodra, pjesë automjetesh

Policia e Kosovës sot ka raportuar edhe një rast të kontrabandës me mallra në Leposaviq.
Gjegjësisht, PK-ja thekson se dje rreth orës 12:00 kanë ndaluar një veturë në të cilën ka qenë një person i nacionalitetit serb.
Policia saktëson se gjatë kontrollit janë gjetur tekstile, lodra, pjesë automjetesh, si dhe një lidhje radiofonike.
Me vendim të prokurorit vetura dhe malli janë dërguar në doganën e Kosovës për përpunim të mëtutjeshëm, ndërsa ky person është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës tash e sa ditë në raportet e saj 24 orësh ka informuar opinionin për kontrabandën e mallrave, përkatësisht kalimin e paautorizuar që po ndodh në komunën e Leposaviqit.
Para tri ditësh në fshatin Bistricë është regjistruar kontrabandë me mallra, ku siç kanë raportuar kanë hasur në një person që transportonte dhjetë dhi dhe katër qengja.
Dy ditë më vonë, në të njëjtin vend, policia ka hasur në një automjet që dyshohet se ka hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës nga drejtimi i Serbisë qendrore.