75 Mall Live Search
20:14 / E Shtunë, 17 Qershor 2023 / MSH

Ky është serbi që u arrestua nga Policia, sulmonte gazetarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Policia e Kosovës sot kanë njoftuar se kanë arrestuar edhe një serb, të dyshuar për sulmimin e gazetarëve në veri të vendit.

Indeksonline raporton se Dalibor Spasic (në fotografinë më poshtë) mori pjesë në sulmet e bëra ndaj gazetarëve ditën e 31 majit, kur edhe pati tensione të shtuara në Zveçan.

“Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste” tha ministri Sveçla pas arrestimit të tij.

Në një aksion të organizuar, Policia gjithashtu ka njoftuar se 35 vjeçarin e arrestoi në Jarinje.

“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Jarinje dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” bëri të ditur Policia./Indeksonline/