75 Mall Live Search
23:52 / E Mërkurë, 28 Qershor 2023 / S Z

Haxhiu i numëron “favoret” që Kurtit ia ka bërë Vuçiqit dhe Serbisë

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në RTV Dukagjini ka thënë se Albin Kurti prej se ka ardhur në krye të qeverisë gjithnjë i ka krijuar “favore” Serbisë, ndërsa kjo e fundit i ka shfrytëzuar ato për të krijuar “teren” në dialog me Kosovën.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke i bërë vazhdimisht favore Serbisë që këtë gjë Kurti është duke e bërë, sipas Haxhiut, nga momenti që ka ardhur në krye të qeverisë.

“Mirëpo ekzistojnë fakte sot se prej se ka ardhur në qeverisje, është duke i krijuar favore [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit”.

Më tej, ai ka numëruar sa favore ia ka bërë Kurti si kryeministër Serbisë.

“Favorin e parë që i ka bërë Vuçiqit është me pranimin e 1000 testeve [të COVID-19] nga Serbia, ku Vuçiq dhe Serbia janë prezantuar si shumë humanitar”.

“Favori i dytë që Kurti i ka bërë Vuçiqit pasi është bërë kryeministër është kur të gjithë kërkonim që dialogu të ketë një platformë, e të dorëzohet dialogu në Kuvendin e Kosovës, të diskutohet për marrëveshje finale. Kurti e refuzonte këtë marrëveshje, refuzonte me shku në dialog, tallej me dialogun duke thënë se ai është prioriteti i 7-8, mirëpo krijonte favore për Vuçiqin sepse ai po krijonte terren në procesin e dialogut”.

“Edhe favori i tretë është kur ka ndërhyrë për targat ‘KM’ në veri”, ka thënë Haxhiu.

Por, sipas Haxhiut, kryeministri Kurti është duke vazhduar t’ia bëjë favorin e katërt Serbisë me situatën e krijuar në veri të Kosovës.