“Edhe këtu bëhet mirë”, Kurti mirëpret mërgimtarët, i njofton për aktivitetet

Sot u mbajt mbledhja e Qeverisë së Kosovës, teksa kryeministri Albin Kurti në fillim të kësaj mbledhje foli për mërgimtarët, falënderoi ata si dhe njoftoi për planet që kanë bërë për mirëpritjen e tyre.
Kurti njofton për rregullimin e rrugës Prishtinë-Podujevë derisa e quan “rrugë e mërgatës”, raporton Indeksonline.
Ndër të tjera, Kurti u tha mërgimtarëve se është këtu mund të bëhet mirë e drejt njësoj sikur në vendet ku jetoni e veproni.
“Si çdo herë kur vjen vera, Kosova pret me krahë të hapur, me zemrën plot e me mall të madh më të dashurit tanë që gjenden larg nesh. Të dashur mërgimtarë mirësevini në shtëpinë tuaj. Rikthimi i juaj në atdhe shënon një moment të veçantë për të gjithë ne pasi shpreh lidhjen e përjetshme e cila tejkalon kufijtë dhe kohët..Ecja jonë e shpejt drejt zhvillimit të vendit është më e lehtë kur në mendjen tonë e dijmë që kemi mbështetjen tuaj. Kontributi juaj ndihet në të gjithë sektorët e vendit. Siç mund ta dini kemi filluar rregullimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Kjo nuk është rrugë vetëm për qytetarët e Llapit por në të vërtetë është rruga e mërgatës. Rruga do të jetë vetëm njëra prej gjërave që do e shihni se edhe këtu mund të bëhet mirë e drejt njësoj sikur në vendet ku jetoni e veproni”, tha Kurti.
Shefi i Qeverisë tha se Ministria e Punëve të Jashtme ka hartuar një listë të aktiviteteve të dedikuara veçmas për mërgimtarët, që përfshijnë aktivitete në sport, kulturë, kampe verore.
“Në javën në vijim përmes platformës “Shijo Kosovë” do t’iu përcjell të gjitha udhëzimet dhe informatat për këto aktivitete”, theksoi Kurti./Indeksonline/