75 Mall Live Search
08:52 / E Enjte, 20 Korrik 2023 / MSH

Dy të vdekur nga të shtënat me armë në Zelandë të Re

Të shtëna me armë zjarri kanë lënë të vdekur dy persona në qendër të Auckland, Zelanda e Re, disa orë përpara se qyteti të fillojë Kupën e Botës në futboll, për femra.

Gjashtë persona të tjerë, përfshirë oficerë policie, u plagosën dhe personi i armatosur gjithashtu vdiq pas incidentit, raporton BBC.

Kryeministri Chris Hipkins tha se sulmi nuk po shihej si një akt terrorist, transmeton Indeksonline.

“Turneu do të vazhdojë siç ishte planifikuar”, konfirmoi ai.

Akoma nuk dihen shkaqet e këtij sulmi.

Sipas kryebashkiakut të Auckland, Wayne Brown, i gjithë personeli i FIFA-s dhe ekipet e futbollit janë të sigurt. Më herët, ai kishte paralajmëruar njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet në qytet.

“Nuk më kujtohet që diçka e tillë të ketë ndodhur ndonjëherë në qytetin tonë të bukur. Ngjarjet e këtij mëngjesi kanë qenë tragjike dhe shqetësuese për të gjithë banorët e Auckland-it, pasi kjo nuk është diçka me të cilën jemi mësuar,” shkroi Brown në Twitter.

FIFA shprehu “ngushëllimet më të thella” për familjet e viktimave dhe tha se ishte në komunikim me autoritetet e Zelandës së Re.

Ministri i Sportit, Grant Robertson tha se do të ketë polici shtesë në zonë për të siguruar siguri.

Kupa e nëntë e Botës për Femra po bashkëorganizohet nga Zelanda e Re dhe Australia.