75 Mall Live Search
19:40 / E Enjte, 20 Korrik 2023 / AR

Njëra ndër veturat më luksoze në botë, bllokohet në Prishtinë nga “Prishtina Parking”

Sot gjatë ditës është pranuar një fotografi jo aq e zakontë. Në të është një nga veturat më të shtrenjta dhe më të bukura në botë. Por qytetari që ka dërguar këtë fotografi në redaksi ka shpjeguar një detaj që në pamje të parë nuk vërehet.

Në këtë fotografi është një Lamborghini Huracan, vlera e të cilit aktualisht sillet ndërmjet 350 mijë dhe 450 mijë euro. Kjo veturë sot është bllokuar nga ndërmarrja Prishtina Parking. Arsyet e bllokimit sigurisht janë mospagesa e rregullt e parkingut në qytet.

Të pyetur nga redaksia për këtë rast, nga Prishtina Parking nuk kanë komentuar lidhur me veturën specifike por kanë bërë thirrje që parkingu, në zonat e menaxhuara nga ndërmarrja, të paguhet nga të gjithë qytetarët pa marrë parasysh llojin e veturave.

Nga ndërmarrja Prishtina Parking po ashtu kanë shtuar se që nga kjo javë, ndërmarrja është pajisur me bllokadat moderne dhe operimet e tilla tashmë realizohen plotësisht me kapacitete të ndërmarrjes. Këto bllokada sipas tyre janë të dizajnuara për të gjitha llojet e automjeteve.

Ky proces sipas Prishtina Parking do ti kursej ndërmarrjes buxhet të konsiderueshëm marrë parasysh se në të kaluarën bllokimet janë realizuar nga operatorët privat të kontraktuar nga ndërmarrja.

Prishtina Parking po ashtu ka sqaruar se pajisja me këto bllokada e ka rritur në menyrë substanciale potencialin e ndërmarrjes për të realizuar me sukses detyrimet nga rregullorja e Komunës për Parkingjet.

Po ashtu, ata kanë njoftuar se tanimë automjetet e bllokuara lirohen për një periudhë shumë të shkurtër pas realizimit të pagesës, krahasuar me të kaluarën ku qytetarët kanë pritur deri në një orë pas pagesës./Indeksonline/