SPAAC përshëndet shkarkimin e Bujar Ejupit

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil përshëndet Vendimin e sotshëm, edhe pse të vonuar, të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të shkarkuar Bujar Ejupin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së.
“Ne duam t’i falenderojmë përzermërisht të gjitha ata që janë solidarizuar me ne gjatë kësaj kohe të vështirë dhe na kanë përkrahur drejtë këtij qëllimi.
Vendimi vjen pas 3 viteve me një numër të madh shkeljesh profesionale dhe keqmenaxhim të Bujar Ejupit të sinjalizuara nga Sindikata jonë të cilat janë vulosur edhe nga trupa ndërkombëtare që kanë vërtetuar se nën udhëheqjen e tij, AAC-ja ishte bërë pothuajse jofunksionale. Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dy vite radhazi nuk i miratuan Raportet vjetore të AAC. Ky është largimi i tretë nga detyra në fushën e aviacionit për Bujar Ejupin. Urojmë që Ejupi të mos ketë më mundësi t’i afrohet institucioneve publike e as të lejohet të ketë autoritet ndaj të tjerëve, për shkak të veprimeve të tij përndjekëse e diskriminuese të ushtruara ndaj zyrtarëve të AAC të vërtetuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Bujar Ejupi është rasti më eklatant se si mund të keqpërdoret detyra publike për qëllimet e tij personale dhe për të përndjekur profesionistë të ndershëm të AAC-së të cilët refuzuan t’i nënshtrohen. Për të gjitha këto, SPAAC ka ngritur kallëzim penal ndaj tij.
Më në fund zyrtarët e AAC-së do të mund t’i kthehen profesionalizmit dhe punës së shkëlqyer të cilën u penguam ta bëjmë tre vjet radhazi.
Urime të gjithë profesionistëve të aviacionit civil në Republikën e Kosovës!” thuhet në reagim.