75 Mall Live Search
10:48 / E Hënë, 04 Shtator 2023 / k.v

Drithërat e Ukrainës në fokus të takimit Erdogan-Putin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, takohet të hënën me homologun e tij rus, Vladimir Putin, me synim të ringjalljes së marrëveshjes për eksportin e drithërave ukrainase para nisjes së korrjeve gjatë vjeshtës.

Ky do të jetë takimi i parë kokë më kokë mes Erdoganit dhe Putinit që nga tetori i vitit të kaluar dhe vjen në kohën kur forcat ruse po përballen me kundërofensivën ukrainase, që pas tre muajsh betejash brutale në frontin jugor të Ukrainës, ka nisur të shfaqë sukses.

Lideri turk shpreson që ta përdorë samitin joformal në resorin në Detin e Zi të Soçit si bazë për negociata të paqes të cilat po i debatojnë disa zyrtarë perëndimorë, por dy palët duan të mbajnë negociata vetëm sipas kushteve të tyre.

Erdogan është një prej liderëve të paktë të aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s që ka mbajtur të hapur qasjen me Putinin.

Dy liderët kanë raporte të ngushta, por duket se marrëdhënia e tyre është forcuar që kur Rusia nisi “operacionin e posaçëm ushtarak” – pushtimin e paprovokuar të Ukrainës – shkurtin e vitit të kaluar.

Vendimi i Putinit për të ulur dhe vonuar pagesat e Turqisë për importet e gazit rus ka ndihmuar në lehtësimin e krizës ekonomike, që për pak ia humbi zgjedhjet presidenciale Erdoganit që u mbajtën në maj.

Ankaraja u kundërpërgjigj duke refuzuar që t’i bashkohet Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe Turqia është bërë një shtet kyç për qasjen e Rusisë në mallra dhe shërbime.

Por, Erdogani po ashtu ka irrituar Putinin pasi ka furnizuar Ukrainën me armë dhe ka mbështetur ambiciet e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO.

Kremlini është zemëruar veçanërisht kur Erdogani në korrik lejoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, – i cili ishte duke vizituar shtetin – të merrte në Ukrainë pesë komandantë që Rusia dërgoi në Turqi. Ky ishte një këmbim i madh të burgosurish.

Komandantët ishte paraparë të qëndronin në Turqi dhe Kremlini paralajmëroi se kjo gjë “do të merret parasysh në marrëveshjet e ardhshme” me Erdoganin.

Megjithatë, Moska dhe Kievi tani po kërkojnë mbështetjen e Erdoganit sa i përket mosmarrëveshjeve të tyre për eksportin e drithërave dhe armiqësive në Detin e Zi.