75 Mall Live Search
14:27 / E Diele, 10 Shtator 2023 / AR

Lirohen në procedurë të rregullt tre zyrtarët komunalë që u arrestuan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Zyrtari i Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku dhe një zyrtar tjetër i kësaj qendre, janë liruar në procedurë të rregullt, pasi ishin ndaluar të premten nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se gjatë kësaj faze hetimore, Prokurori i Shtetit i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për mbledhjen e provave personale dhe materiale, si dhe ka vlerësuar që rastin ta hetoj në procedurë të rregullt”, konfirmoi ajo.

Edhe avokati i Aliut, Mahmut Halimi konfirmoi për “Betimi për Drejtësi”, se i mbrojturi i tij është liruar në procedurë të rregullt.

Ndryshe, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, ka reaguar pasi u ndalua nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në reagimin e tij, Mujku thotë se është i pastër si loti e se ky është tentim i qëllimshëm për njollosje nga indivicë të caktuar, por se fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.

Reagimi i plotë i Mujkut:

Reagim publik

Të nderuar familjarë, shokë, kolegë, miq, bashkëpunëtorë e qytetarë.

Së pari ju falenderoj secilin prej jush për interesimin dhe përkrahjen e sinqertë, si dhe ju kërkoj falje për shqetësimin e ndjerë, të krijuar nga të tjerët për mua.

Ajo çfarë është publikuar në medie këto dy ditë, është vetëm tentim i qëllimshëm për njëllosje nga individë të caktuar. Sot do të kursehem e do të mjaftohem duke thënë se e drejta për tu hetuar secili është e padiskutueshme dhe do ta përkrahi deri në momentin e fundit.

Sjellje shumë korrekte dhe profesionale e hetuesisë dhe policisë, përjashtuar si zakonisht, ruajtjen e privatësisë së qytetarëve në procedurë hetimi.

Dua të ju siguroj se shërbimi im ndaj vendit ka qenë dhe do të jetë maksimal. Përderisa për ato që është shkruar, mund të them se jam i pastërt si loti, për çka fjalën e fundit do ta thotë drejtësia. Vullneti, tentimi apo fuqia ime për të ndikuar në drejtësi është zero.

Nuk do të ndalem në shërbim të drejtë dhe me integritet për vendin nga cilado pozitë që jam, sepse e kemi obligim profesional dhe moral.

E paçit shëndetin, familjen e lumtur në shtëpi, miqtë e dashamirët afër, e drejtësinë në krah secili. Do ta nisni çdo ditë mirë kështu si unë.

Me shumë respekt“.

Ndërkaq, të premten Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë lëshuar aktvendim për ndalimin e dy personave V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të QPS-së në Prishtinë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenin 414 të KPRK-së, ngase të njëjtit dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”, thuhej në njoftim.

Kurse, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, njoftoi se të premten pasdite është intervistuar nga Policia e Kosovës në cilësi të dëshmitarit, teksa tha se çështja kishte të bënte me ndalimin e tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës.

“Të dashur qytetarë, Ju njoftoj se sot pasdite jam intervistuar nga Policia e Kosovës, në cilësinë e DËSHMITARIT, në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve komunal të Komunës së Prishtinës. Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, kishte shkruar ndër të tjera ai në Facebook.