Abdixhiku deklarohet pas takimit me Vjosa Osmanin: Uniteti nacional, domosdoshmëri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Ai ka thënë se në takimin e përbashkët, është informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore.
Ai ka thënë se djemtë dhe vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.
Është, koha, sipas tij, tani ta fitojmë atë diplotimatike në politikë.
Postimi i Abdixhikut:
Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm.
Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.
Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.
Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë.
Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë.